“Komandant” Sarri ka nisur ta projektojë Juventusin e tij!

Nuk ka përfunduar ende “telenovela”, por pritet të jetë tepër e shkurtër, maksimumi deri nesër ose pasnesër. “Mjeshtri i biznesit”, Fali Ramadani, shqiptar nga Tetova, po punon frenetikisht mes Londrës dhe Torinos, për të mbyllur akordin e madh që në fillim të verës, pra Mauricio Sarrin si trajner të Juventusit. Tekniku napolitan i Çelsit me shumë gjasë e ka mbyllur me blutë e Londrës, që kanë rënë në dashuri me lavdinë e tyre të vjetër, Frenk Lampard.

Juventusi, ndërkaq, e ka të qartë se nuk ia vlen të presë. Guardiola dhe Poçetino nuk pritet të vijnë, dhe nuk duhet mërzitur një figurë e rëndësishme si Sarri, që nuk i ka humbur admiruesit, edhe pas një sezoni të vështirë tek Çelsi. Ndoshta, jo të gjithë tifozët juventinë janë të bindur, disa prej tyre deklaruan se “Sarri nuk ka stil”, por kjo gjë duket e mbaruar.

Vetë Sarri do të vijë nga Londra, bashkë me qenin e tij të dashur Çiron, e ndoshta do të marrë pushimet në vendin e tij të preferuar, në San Benedeto të Trontos, por idetë e tij duket se janë të qarta. “La Gazeta delo Sport” shkruan se ai po mendon për të forcuar sulmin, me Mauro Ikardin (që e kishte kërkuar që tek Napoli), me Milinkoviç-Saviçin nga Lacio, por edhe duke kërkuar një emër të madh në mbrojtje. Kuptohet, për Ikardin nuk do të jetë e lehtë, pasi Interi as nuk ka ndërmend të pranojë.

Sfidanti.al