Golden Stejt fiton në Toronto, por hallet e dëmtimeve s’kanë të sosur

Nuk dorëzohen kurrë, por edhe hallet nuk u mbarojnë asnjëherë. Kampionët e NBA-së, basketbollistët e Golden Stejtit, barazuan rezultatin në finalen e madhe ndaj Torontos, duke fituar ndeshjen e dytë në Kanada, por edhe duke pësuar dëmtimin e kapitenit Klej Tompson. Nuk dihet ende sesa i rëndë është lëndimi i tij, por mungesa e një lojtari të tillë, padyshim ia rrezikon mbrojtjen e titullit.

Tompson shënoi 25 pikë në 32 minuta lojë, në fitoren 109-104, ndërsa Stefën Kërri shtoi 23 pikë të tjera. Drejmond Grini ishte në nivelin që kërkohej me 17 pikë, 10 topa në tabela, 9 asistë, 2 vjedhje topi e 1 bllokim gjuajtjeje, por një rikthim i rëndësishëm ishte ai i qendrës Demarkus Kouzins, që pati 11 pikë, 10 topa në tabela e 6 asistë në 27 minuta në parket. Gjithsesi, Kevin Durant nuk luajti, nuk dihet nëse do të luajë në ndeshjen e tretë, ashtu siç është në dyshim edhe kapiteni Tompson.

Toronto luftoi fort dhe ishte në epërsi deri në 12 pikë gjatë gjysmës së parë të ndeshjes. Në periodën e tretë, siç edhe mendohej, Uorriorsët reaguan dhe patën një rezultat të pjesshëm 18-0, duke kaluar në avantazh, e duke mos u arritur më. Koui Leonard ishte më i miri në fushë, duke realizuar 34 pikë për Toronton, plus edhe 14 topa në tabela, por mori më pak ndihmë nga shokët se zakonisht. Ndeshja e tretë luhet në fushën e Golden Stejtit, në Arenën e Oklendit, mëngjesin e 6 qershorit.

Sfidanti.al