“Qarja” për finalen e Ligës së Europës, apo “pronësia” mbi futbollin

Nga të katër anët, në Angli, janë ngritur e po mallkojnë UEFA-n që e “degdisi” finalen e Ligës së Europës në Azerbajxhan. Çelsi dhe Arsenali, bashkë me tifozët e tyre, janë tërbuar që do të kenë në dispozicion vetëm nga 6 000 bileta, po ashtu për rrugën e gjatë dhe kostot. Së fundi, ka kompani udhëtimi që po kthejnë biletat pasi mjaft njerëz e quajnë të vështirë të shkojnë në Baku.

E gjitha kjo duket si një përpjekje për t’i refuzuar futbollin vendeve që ende nuk quhen të denja për të organizuar një finale të këtij niveli, ndonëse stadiumi “Olimpik” i plotëson të gjitha kushtet dhe Bakuja vetë e ka të gjithë infrastrukturën e nevojshme. Njerëz si anglezët, që nuk e kanë pasur problem paranë për breza të tërë, papritur janë bërë kursimtarë, ndërsa të tillë duhej të ishin azerët, që kanë vuajtur shumë më tepër.

Kritikat ndaj UEFA-s mund të jenë të forta, por gjithsesi Anglia apo Gjermania e kuptojnë se organizata europiane ka më shumë anëtarë si Azerbajxhani sesa si ata. Edhe publiku në Baku, në Erevan apo në Tbilisi ka të drejtë të shohë skuadrat më të mira të Europës, dhe jo vetëm të vizitohen nga turistë anglezë, shumë prej të cilëve pranohen vetëm sepse sjellin të ardhura në paund stërlina, ndonëse pihen e bëhen tapë, dhe shtrihen rrugëve si lopët, siç ndodhi vjet në Dhërmi të Shqipërisë.

Sfidanti.al