Ronaldo flet për Murinjon, por Juventusi flet me Sarrin!

Konfuzion i madh për të ardhmen e stolit juventin, veçse është diçka që pritet. Nga rrëmuja e emrave të mëdhenj që përfliten, del ai që mund të quhet kandidati numër 1 për momentin, Mauricio Sarri. Trajneri i Çelsit pëlqehet nga “Zonja e Vjetër”, madje “La Gazeta delo Sporti” shkruan se presidenti i Juventusit, Andrea Anjeli, ka vendosur kontakt me italianin e Londrës. Nuk dihet se çfarë është biseduar, nëpërmjet të tretëve, por gjithsesi duhet pritur. Në fund të fundit, Sarri është trajner i Çelsit dhe do të luajë finalen e Ligës së Europës në 29 maj. Sidoqoftë, lajmet nga Anglia janë që Çelsi po mendon për Frenk Lampardin, pra Juve-Sarri mund të bëhet.

“Emri i trajnerit nuk do të mësohet brenda pak orëve”, – thonë tek Juvja. Dëshira më e madhe e Anjelit ishte Maurisio Poçetino, por duket se trajneri i Totenhemit vështirë të arrihet. Argjentinasi, ndoshta, ndihet i detyruar të mbetet aty ku është pas një sezoni triumfal, dhe një edicioni të ardhshëm që pritet të jetë edhe më i mirë. Trajneri i Francës, Deshamp, ka hedhur poshtë ardhjen, ndërsa është përgënjeshtruar një takim me Pep Guardiolën. Së fundi, kemi Kristiano Ronaldon që thuhet se ka “sponsorizuar” emrin e Zhoze Murinjos. Edhe ish-interisti mbetet në listë, por ndoshta nuk është dëshira kryesore, sidomos pas asaj që i ndodhi tek Mançester Junajtidi.

Sfidanti.al