Duket se trajneri i ri i Kombëtares tonë, 73 vjeçari Edi Reja, e ka konsideruar pankinën kuqezi edhe si sfidë personale. Pasi gjeti akordin me presidentin Duka, i cili prej kohësh gjen kënaqësi kur bën pazar për pagesat, me njerëz që dikur i ka parë në televizor, ish-trajneri i Lacios ka organizuar një tur të shkurtër europian, për të ndjekur nga afër futbollistët e projektit të tij. Dhe për të ndërtuar sërish një skuadër të denjë, sigurisht që është e vështirë, duke pasur parasysh që fillisht duhet pastruar rrëmuja e Panuçit dhe “bashkëpunëtorëve” të tij. Në grumbullimin e tij të parë, Edi Reja është mjaftuar me 8-9 futbollistë, të cilët nuk dihet nëse do t’i rezistojnë deri në fund seleksionimit dhe më pas grupit do t’i bashkohen edhe lojtarët e tjerë, të cilët ose vazhdojnë të jenë në aktivitet, ose nuk janë lejuar nga klubet e tyre. Kështu që do të na duhet edhe pak durim, për të parë nëse do të ketë surpriza, apo Reja do të vazhdojë me logjikën e paraardhësit të tij. Për momentin vihet re thirrja e mbrojtësit të Kozencës, Dermaku, si dhe Trashit e Telushit nga Partizani.
Gjithashtu, nuk ka si të mos bëjë përshtypje, se në “Tropikal” kemi të grumbulluara dy gjysma-skuadrash, atë të zëvendësuesit të Panuçit dhe një pjesë nga ekipi i Alban Bushit, si dhe prania e një një superstafi mbështetës, me trajnerë, specialistë, mjekë, fizioterapistë italianë dhe shqiptarë. Dhe lajmi më mberlënës është, që në prag të ndeshjeve kundër Islandës dhe Moldavisë, Kombëtares tonë i është rezervuar edhe një grumbullim luksi në Frankfurt, ku do të qëndrojë deri një ditë përpara ndeshjes së Rejkiavikut. Pra ky është fillimi i udhëtimit të veteranit Edi Reja me skuadrën e tij të re, por gjithsesi, diçka është qartësuar ende… objektivat. Kanë mbetur ato të fillimit ku kërkohej me entuziazëm një tjetër kualifikim historik, apo do të shfrytëzohet eksperienca e gjatë e trajnerit italian për të ndërtuar një skuadër të perspektivës? Ndoshta edhe për këto duhet pritur pak.