Klopi: I dyti me Liverpulin, më bukur se kampion me Dortmundin!

Një shprehje (jo edhe aq e bukur) thotë se vetëm fituesi mbahet mend. Duket se nuk është plotësisht i këtij mendimi Jurgen Klopi, trajneri i Liverpulit, që doli i dyti në Premier Ligë këtë sezon. Tekniku gjerman ka vlerësim tepër të lartë për këtë sezon të kampionatit anglez, edhe pse mbeti 1 pikë prapa Mançester Sitit duke mos e fituar dot titullin.

“Për mua, ky sezon me Liverpulin mund të quhet më i mirë sesa ai kur dolëm kampion me Dortmundin, – u shpreh Klopi, – natyrisht, synimi ynë nuk ishte vendi i dytë, por nuk dua të shoh njeri që të qajë. Jam shumë krenar për lojtarët e mi, për të gjithë njerëzit e klubit dhe për tifozët. Njerëzit janë të lumtur për ne, por duhet të jemi perfektë që të fitojmë titullin”.

Liverpuli fitoi 97 pikë, më shumë se çdo kampion i Anglisë me përjashtim të Mançester Sitit, që vjet fitoi 100 dhe këtë vit 98 pikë. Klopi fitoi dy tituj kampion në Gjermani me Dortmundin në 2011 e 2012, ndërsa pas 3 javësh do të luajë finalen e Championsit ndaj Totenhemit, pra ka një shans për të fituar një trofe të madh këtë edicion.

Sfidanti.al