“Kurrë mos e nënvleftësoni kampionin”, kualifikohet Golden Stejti!

Pa Demarkus Kouzinsin! Pa Kevin Durantin! Pa problem! Një kombinim që është përdorur shpesh për të përshkruar ngjarje që sfidojnë pritshmëritë, dhe i përshtatet më së miri mbylljes së duelit Hjuston Rokits-Golden Stejt Uorriors, në gjysmëfinalet e Perëndimit në NBA.

Ndryshe nga sa pritej, triumfoi Golden Stejti, 118-113, dhe u kualifikua për në finalen e Konferencës, edhe pse i mungonte ylli kryesor i plej ofit, Kevin Duranti. “Duhet të gjejmë dikë që të na shënojë 35 pikë për ndeshje, të kapë 10 topa në tabela dhe të japë 8 asistë për ndeshje”, – tha gjysmë me të qeshur trajneri Stiv Kerr përpara duelit.

Siç pritej, në skenë doli dyshja e quajtur “Vëllezërit Splesh”, Stefën Kërri dhe Klej Tompson, të ndihmuar edhe nga Drejmond Grin dhe pjesa tjetër e skuadrës, sidomos Iguodala, Livingston apo Lunei. Kërri shënoi 33 pikë, që të gjitha në pjesën e dytë, ndërsa Tompson pati 27. Grin iu afrua një tripëll dabëlli me 8 pikë, 10 topa në tabela, 7 asistë, Iguodala shënoi 17 pikë, dhe Lunei 14.

Në një ndeshje shumë të barabartë, Hjustonit nuk i mjaftuan 35 pikët e liderit Xhejms Harden, as 27 pikët e Kris Polit. Dueli në Arenën teksane nuk kishte si të bëhej më i ekuilibruar. Perioda e parë u mbyll 28-27 për Hjustonin, në pushim dy skuadrat ishin në barazim 57-57, në fund të pjesës së tretë vendasit kryesonin 87-82, ndërsa përfundimi ishte 118-113 për miqtë.

Kur duheshin edhe 58 sekonda deri në përfundim, rezultati ishte 107-104 për Golden Stejtin, pas koshit të Hardenit, por një tripikësh i Tompsonit, 36 sekonda para sirenës, efektivisht i dha fund gjithçkaje.

“Kurrë mos e nënvleftësoni zemrën e një kampioni”, ishte komenti i Lebron Xhejmsit në rrjetet sociale. Xhejmsi luajti 4 finale për titull ndaj Golden Stejtit, duke arritur të fitojë vetëm një. Tashmë, kampionët presin rivalin e Konferencës Perëndimore, që do të dalë nga çifti Denver-Portlend, për momentin i barabartë 3-3.

Sfidanti.al