Valteri Botas nuk rresht së befasuari dhe po tregon se këtë sezon e ka marrë shumë seriozisht. Piloti finlandez i Mercedes është fitues i pole position në ndalesën e radhës në Formula 1 në Cmimin e Madh të Spanjës në Barcelonë duke vendosur edhe një rekord të ri të pistës. Botas i mbylli provat zyrtare me kohën 1 minutë 15 sekonda e 406 të mijtat.
As Ljuis Hamilton nuk ishte në gjendje që të rivalizonte me shokun e tij të skuadrës me kampionin e botës që i mbylli këto prova në vendin e dytë me 634 të mijtat më shumë se Botas. Gjithsesi ajo që ka rëndësi është se Mercedes dominoi sërish duke pushtuar edhe njëherë tjetër vijën e parë të startit në garën e së dielës.
Ferrari edhe këtë radhë ishte i pafuqishëm për t’iu kundërpërgjigjur skuderisë gjermane pavarësisht modifikimeve që kishte bërë në aerodinamikë. Në fakt Kokëkuqja italiane nuk ishte asnjëherë në gjendje që të shqetësonte makinat Mercedes dhe si rezultatin më të mirë të saj pati vendin e tretë të Sebastian Fetel me 866 të mijtat më shumë se Botas, ndërsa Lëklerk u rendit në vendin e pestë menjëherë pas pilotit holandez të Red Bull, Maks Vershtapen.
sfidanti.al