“Match Point” për Bajernin, por tri mungesa në duelin për titull!

“Ne kemi dy topa për të fituar ndeshjen, “Match Points”, dhe unë dua që ta fitojmë titullin që me gjuajtjen e parë”. Kështu u shpreh Niko Kovaç për duelin e fundjavës ndaj Lajpcigut, në të cilin Bajerni mund të shpallet kampion. Ndeshja luhet të shtunën në orën 15:30, në të njëjtën kohë kur Dortmundi pret Dyseldorfin në “Signal Iduna Park”, dhe një fitore do të ishte e mjaftueshme që bavarezët të shpalleshin kampionë, pasi kanë 4 pikë epërsi, ndërsa ka edhe dy javë Bundesligë.

Gjithsesi, Kovaç lajmëroi se në Lajpcig do të shkojë pa Manuel Nojerin e dëmtuar. Kapiteni ka probleme me ligamentin e këmbës, dhe ndonëse është kthyer në stërvitje, ende nuk ka ngarkesën dhe formën e duhur. Përveç numrit 1, pritet të mungojnë Hames Rodrigez dhe Havi Martinez. Për më tepër, tre lojtarë të Bajernit rrezikojnë pezullimin nëse marrin karton të verdhë, dhe këta janë Kimih, Alaba e Tiago Alkantara.

Sfidanti.al