Një rekord botëror dhe tri blerje “super”, ja plani i Realit

Nëse gjithçka do të mbetet kështu siç është sot, Madridi do të duhej të paguante rreth 570 milionë euro vetëm për tre lojtarë. i tillë është inflacioni aktual i tregut të futbollit, ndërsa presidenti i Realit, Florentino Perez, ia ka vënë syrin Kilian Mbapesë, Pol Pogbasë dhe Eden Hazarin. Mediat europiane shkruajnë se klubi spanjoll i ka ofruar Paris SG një shumë-rekord botëror për Mbapenë, plot 280 milionë euro, shumë më tepër sesa 180 milionë eurot që PSG i pagoi Monakos dy vjet më parë. Për 20-vjeçarin, Perez dhe Zidan nuk kanë ndërmend të kursehen.

Gjithsesi, janë edhe dy yje të tjerë që duhet të plotësojnë “galaksinë” e re, Pol Pogba dhe Eden Hazar, dhe këtu fillojnë vështirësitë. Mançester Junajtid kërkon ndoshta 160 milionë paund stërlina për kartonin e francezit, që do të thotë gati 180 milionë euro. Përveç kësaj, Pogba paraqet edhe një pengesë tjetër, sepse në “Old Traford” paguhen me 18 milionë euro në sezon. Reali do të kërkojë një ulje për të dyja këto shifra, por Perezi mund të jetë i detyruar të veprojë nëse Zidan ngul këmbë.

Mesfushori ka kontratë tek Junajtid deri në 2021, me të drejtë zgjatjeje edhe një vit tjetër, ndërsa shefi ekzekutiv Uduord e vlerëson lart për ndikimin e madh komercial në financat e klubit. Vetë Pogba pritet të bëjë një kërkesë zyrtare për transferim, që do ta dobësonte disi pozitën e “djajve të kuq”, diçka që mund ta bëjë edhe Eden Hazar tek Çelsi. Ylli belg vlerësohet nga Blutë e Londrës në 100 milionë paund stërlina, rreth 115 milionë euro, dhe Reali shpreson ta ulë edhe këtë shifër. Gjithsesi, Mbape dhe Hazar kanë përparësi, por varet se çfarë do të thotë trajneri madrilen, Zinedin Zidan.

Sfidanti.al