Të na falësh Ronaldo, ti shënove, por derbin e fituan tifozët e Juves!

Nuk ndodh shpesh që tifozët të tregohen të denjë në derbi. Të mos keqkuptohemi, ata janë gjithnjë të denjë për skuadrat e tyre, por tepër rrallë të tillë për atë që meriton kundërshtari. Një shembull të mrekullueshëm e dha një pjesë e tifozëve të Juventusit, në derbin ndaj Torinos, kur nderoi kujtimin e skuadrës “granata” të zhdukur në tragjedinë ajrore të Supergës. “Nder për heronjtë e Supergës”, ishte parulla e shpalosur prej tyre në tribunat e stadiumit “Alianc”.

Kristiano Ronaldo natyrisht që e luajti dhe e fitoi derbin e tij, ndonëse ndeshja përfundoi 1-1. Superylli portugez barazoi rezultatin në minutën e 84-ët, pas një goli me kokë, me një kërcim të denjë për vetë Pelenë. “La Gazeta delo Sport” njofton se CR7-ta kërceu 2.47 metra nga toka për të mbërritur topin e harkuar drejt tij e për ta dërguar në rrjetë. Torino kishte kaluar në epërsi në minutën e 18-të me anë të Sasha Lukiçit, por barazimi i prish punë për Championsin. Skuadra e trajnerit Macarri ka 57 pikë pas 35 ndeshjeve, ndërsa Atalanta ka 59 dhe Roma 58, ndërsa kanë luajtur 34 takime.

Sfidanti.al