Ajo që ndodhi me derbin e bujshëm, edhe pse ishte një aksident, duket sikur u sajua si një trill i fatit. Nisi me bujë të madhe, me një shkëlqim të tjekaluar me tepri, dhe përfundoi në errësirë të plotë. Në një errësim pa shpresë. Në minutën e 64-t, ndodhi ajo që na u duk sabotim në ndeshjen paradoksale midis Realit të Madridit dhe Gramozit, Derbi bashkë me 9000 spektatorët e tij iu dorëzuan errësirës pa kushte. Edhe pse nga komentatorët vinin ngushëllime ndriçuese se “ këto gjëra ndodhin edhe në stadiumet e botës”, edhe më budallai e kuptoi se ngjarjet e mëdha varen në fije të perit,të paktën këtej nga anët tona. Bota edhe mund të ketë dëgjuar për një stadium që i “qërohen sytë” për disa minuta, kurse ajo që ndodhi gjatë kësaj jave,dëshmon diçka më shumë, tepër serioze dhe të frikshme. Probleme me energjinë në stadiumin e ri të Shkodrës, pastaj me atë të Gjirokastrës, në fund për t’i vënë damkën “futbollit që fik dritat”..ky errësim pa kthim në “Selman Stërmasi”.
Ndeshja do të luhet të nesërmen- vendosën zyrtarët e FSHF-së, sikur 9000 vetë do të tërhiqen zvarrë vetëm nga futbolli i derbit dhe nga amalgama e tyre me topin. Një ndeshje që kishte fikur dritat në fushë me cilësinë e dobët, dhe kjo po bëhet sëmundje kronike për shkak të pompimit të madh, aq sa shfaqja e shumëpritur të dukej si një iluzion me atë që ndodhte në fushë.Tani, na thonë se mrekullia mund të ndodhë në ato 27 minuta të mbetura, të cilat do të luhen sot. Kuptohet, mrekulli shqiptare,nga ato që paguhen shumë dhe vlejnë vetëm 3 pikë, si ajo me Maqedoninë kur shpejt e shpejt harruam lojën qorre dhe u dehëm me 3 pikët e marra ..në kusurin e ndeshjes. Po kusuri i sotëm i Derbit, që do të shërbehet në drekë? Të urojmë që edhe ditën mos e bëjmë natë..
Gezim Sinemati