Ende nuk ka marrë fund, por duket se gjithçka ka përfunduar, megjithatë. Mançester Siti hodhi hapin vendimtar drejt mbrojtjes së titullit me fitoren e madhe në “Old Traford”, duke kapërcyer pengesën e fundit të madhe që i kishte mbetur, Mançester Junajtidin. Me 89 pikë ndaj 88 të Liverpulit, kur kanë mbetur edhe 3 javë deri në mbyllje të Premier Ligës, duket se asgjë nuk do ta ndalë skuadrën e Pep Guardiolës. Bernado Silva dhe Leroi Sane ishin autorët e golave në pjesën e dytë.
Duhet thënë se nëse ia del, duhet uruar me gjithë zemër sepse po zhvillon një kampionat të madh. Këtë e tregoi ndaj Totenhemit, pas eleminimit nga Championsi, e tregoi edhe në “Old Traford”. Sado që derbi është një ndeshje e veçantë, sado që Junajtid duhet të bënte autokritikë pas katastrofës me Evertonin, “djajtë e kuq” duhet të gjejnë kundërshtar tjetër për kthesën. Ndoshta Çelsin, me të cilin do të luajnë në fundjavë dhe nëse e mundin, ndoshta kualifikohen për në Champions. Po i ndihmojnë rivalët që po gabojnë, sidomos Arsenali dhe Çelsi.
Jurgen Klop, trajneri i Liverpulit, e tha para pak ditës se nuk besonte që Junajtidi do ta ndalte Sitin. Kështu edhe doli, dhe gjermani e di se Guardiola po e meriton. Sidoqoftë, ai do ta provojë deri në fund këtë vit, pastaj do të hyjë me mendje të mbledhur sezonin e ardhshëm, që t’i japë fund “thatësirës” 30-vjeçare së titullit në “Anfild”.
Sfidanti.al