Një ekip i madh duket përballë vështirësive. Golden Stejti u tregua pikërisht i tillë duke reaguar pas humbjes së njërit prej basketbollistëve kryesorë, e duke qenë pranë kualifikimit në plej of. Dëmtimi i lojtarit-qendër Demarkus Kouzins, sikur i nxiti kampionët në fuqi të NBA-së që të jepnin edhe më shumë se maksimumi, në përballjet e vështira me Los Anxhelos Klipersat.
Duke qenë në epërsi 2-1, fituan edhe ndeshjen e katërt në fushë kundërshtare, 113-105, dhe tani janë vetëm një sukses larg kualifikimit për në raundin e dytë. Dy prej yjeve kryesorë, Kevin Durant dhe kapiteni Klej Tompson, morën në dorë skuadrën në “Stejpëlls Sentër”. Duranti shënoi 33 pikë në gati 38 minuta në parket, kapi 7 topa në tabela e shërbeu 6 pasime për kosh, si dhe vodhi një top nga kundërshtarët. Tompson realizoi 32 pikë, duke qenë i saktë sidomos në gjuajtjet për tri pikë.
Edhe Drejmond Grin është kthyer në nivelet e tij normale, duke lënë mënjanë konfliktet me shokët e ekipit, sidomos me Durantin. Ai shënoi 10 pikë, kapi 9 topa në tabela dhe dha 5 asistë, ndërsa lojtari tjetër qendër, Bogat, po ashtu pati kontribut të madh. Çuditërisht, Stefën Kërri vazhdon të mos jetë në formën maksimale, i penguar sidomos nga gabimet e shumta personale. Ai shënoi vetëm 12 pikë, ndonëse shkëlqeu në tërësi me 10 topa në tabela, 7 pasime për kosh dhe 3 vjedhje topi.
Ndeshja e katërt luhet në fushën e Golden Stejtit, pra kampionët i kanë të gjitha shanset që të kualifikohen menjëherë pas saj.
Sfidanti.al