Reali i Madridit do të ndjejë mungesën e Garet Bejl deri në muajin prill. Sulmuesi uellsian që u dëmtua në kavilje, në ndeshjen me Sporting Lisbonë, iu nënshtruar edhe një operacioni dhe fillimisht u mendua se do të qëndronte jashtë fushave të lojës për 2-3 muaj. Por nga ekzaminimet e fundit mjekësore rezulton se koha e riaftësimit të tij zgjatet në 4 muaj.
Kjo do të thotë, se Bajl do të humbasë 25 ndeshje në këtë sezon. Përveç “El Clasico” të së shtunës, futbollisti do të mungojë në 14 përballje të La Ligës, Botërorin e Klubeve, 1/8 e finaleve të Ligës së Kampioneve, ndërsa në Kupën e Mbretit do të jetë vetëm në finale, nëse Reali i Madridit do të mund të arrijë deri në këtë fazë. Garet Bejl do të duhet të mbajë të palëvizur për 10 ditë kaviljen dhe për këtë arsye, gjatë kësaj periudhe do të qëndrojë në Kardif përpara se të kthehet në Madrid, për të nisur fazën e riaftësimit.