Mançester Siti provoi frikën në Londër, por vazhdoi me fitoret!

Nuk mund të thuhet se nuk e meritoi, por padyshim e pati të vështirë. Mançester Siti u detyrua të kalonte 10 minuta tensioni në fund të ndeshjes në fushën e Kristël Palasit, edhe pse ia doli të merrte tri pikët. Skuadra e trajnerit Pep Guardiola krijoi një avantazh sigurie 2-0, me dy gola të Rahim Stërlingut, por siç ndodh në Premier Ligë, skuadra e vogël refuzoi të dorëzohej.

Luka Milivojeviç shënoi nga goditja e dënimit në “Selhërst Park” duke ngushtuar diferencën në 1-2 në minutën e 80-të, dhe Kristël Palasi u hodh në sulm në kërkim të barazimit. Siti e përballoi presionin dhe arriti të godiste pikërisht në fund, kur sulmuesi brazilian, Gabriel Zhezus, shënoi golin e tretë që vulosi rezultatin.

Formacioni i Pep Guardiolës u ngjit në kuotën e 83 pikëve, duke i pasur të gjitha mundësitë për të fituar titullin kampion në Angli.

Siti do të synojë të fitojë çdo trofe, pra edhe Kupën e Anglisë dhe Championsin, pasi më parë fitoi Superkupën e Anglisë dhe Kupën e Ligës.

Gjithsesi, në Ligën e Kampionëve do të duhet të përmbysë humbjen 0-1 pësuar në fushën e Totenhemit, ndërsa në Premier Ligë do të duhet të presë pikërisht Totenhemin në fushën e vet, si dhe të luajë derbin në fushën e Mançester Junajtidit.

Sfidanti.al