Gara për titull rinisi, madje ashtu siç duhet. Mançester Siti nuk e pati aspak problem të merrte tri pikët në Londër, në stadiumin e Fulhamit, dhe të ngjitej menjëherë në krye të renditjes së Premier Ligës.
Epërsia e plotë në pjesën e parë ishte vendimtare, pasi u shënuan të dy golat në suksesin pikërisht 2-0. Bernardo Silva kaloi në epërsi kampionët që në minutën e 3-të, dhe Sergio Aguero dyfishoi shifrat pa kaluar as gjysmë ore lojë, ndërsa Siti po luante futboll me një portë. Kjo ishte fitorja e shtatë radhazi në kampionat e djemve të trajnerit Pep Guardiola, që mund të kishin fituar shumë më thellë.
Nuk e bënë, edhe sepse humbën raste, por edhe sepse nuk ishte nevoja. Edhe një trajner si Guardiola, edhe një ekip spektakolar si Siti duhet të bëjnë llogari dhe të kursejnë energji për pjesën e mbetur të sezonit, kur duhet fituar jo vetëm titulli në Angli, por sidomos Championsi. Me këtë sukses, u arrit niveli i 77 pikëve ndaj 76 të Liverpulit.
Nëse krahason fitoren e Sitit me atë të Liverpulit pikërisht në fushën e Fulhamit, kupton se skuadra e Guardiolës e pati më të lehtë, pra mund të quhet favorite për titullin. Gjithsesi, gara do të jetë e fortë deri në fund, dhe kampion do të shpallet ai ekip që do të gabojë më pak.
Sfidanti.al