Skënderbeu “pëlqen” shtyllat dhe jo golin, Luftëtari “sheh” mbijetesën në Superligë

Me atë që u pa në fushë, fati nuk ishte me humbësin. Skënderbeu pati epërsi të ndjeshme brenda në Gjirokastër ndaj Luftëtarit, dhe jo vetëm që nuk arriti fitoren, por doli nga fusha i mundur. Skuadra që vazhdon të luajë futbollin më të bukur në Shqipëri nuk është më, ajo që dominon edhe tabelën, dhe kampionët u shtangën dy minuta para fundit.

Sulmuesi Dunga shënoi golin e vetëm të përballjes së javës së 26-të të Superligës, një sukses që e ngjiti Luftëtarin në kuotën e 31 pikëve, duke mbajtur në distancë Kastriotin e vendit të parafundit. Gjithsesi, me përjashtim të faktit që fitoi dhe që pati ndonjë rast, pak mund të flasësh për ekipin vendas.

Historia e ndeshjes i takon thuajse plotësisht formacionit të trajnerit Orges Shehi, që goditi traun, rrahu edhe shtyllën, si dhe pati epërsi në lojë. Në minutën e 65-të, Shehi hodhi në fushë edhe Devi Bregun, vlonjatin që luajti më parë për Luftëtarin, dhe që u prit me brohoritje nga publiku gjirokastrit. As Bregu nuk mjaftoi, pasi edhe ai ishte pa fat, ose fare pak i pasaktë.

Humbja bën që Skënderbeu ta ketë më të vështirë tani të mbajë një nga vendet e para, dhe të pretendojë Europën nga kampionati, gjithnjë nëse e fiton gjyqin në KAS-in e Lozanës.

Sfidanti.al