Kur mungon njëri nga lojtarët më të mirë të sezonit, kampionët kanë gati tjetrin. Kevin Duranti i shpëtoi vërshëllimave të publikut të Oklahomës, por nuk e ndihmoi dot ekipin për shkak dëmtimi, veç rolin udhëheqës e mori si dikur Stefën Kërri. Ylli shtatshkurtër shënoi 33 pikë në 33 minuta, plus 7 topa në tabela, 5 asistë e dy vjedhje topi, në fitoren e thellë të Golden Stejtit, 110-88. Plot 22 pikë diferencë në fushën e njërës prej rivaleve për titull.
“Ne luajtëm me ritëm të lartë, – tha Kërri pas ndeshjes, – ne mbrojtëm shumë fushë, dhe nuk lejuam që ata të kishin gjuajtje të lehta. Kjo, sidomos në periodën e parë. Po ashtu, ne nuk e humbëm shpesh topin, dhe ata nuk na kapën dot shpesh në kundërsulme”.
Natyrisht, Golden Stejti nuk është vetëm Kërri, pasi kapiteni Tompson shënoi 23 pikë, kapi 8 topa në tabela e shërbeu 4 asistë. Po ashtu, vodhi 3 topa e bllokoi 1 gjuajtje. Qendra Demarkus Kouzins shtoi 12 pikë, 8 topa në tabela, 6 asistë, 2 vjedhje topi e 2 bllokime gjuajtjesh, ndërsa Drejmond Grin pati 9-8-6-1-1.
I gjithë formacioni i kampionëve, plus ata që hynë në fushë nga stoli, mbrojtën fort, sidomos ndaj Rasëll Uestbrukut që shënoi vetëm 7 pikë, duke realizuar vetëm 2 gjuajtje për dy pikë (nga 16) dhe duke i humbur të 7 gjuajtjet për tri pikë. Golden Stejti vazhdon kryesimin në Konferencën Perëndimore me 47 fitore e 21 humbje, duke u kualifikuar që tani për në plej of.
Sfidanti.al