“Ata që ishin në fushë luajtën shumë mirë, por unë kam nevojë për të gjithë”. Kështu u shpreh Zinedin Zidan pasi Reali i tij fitoi ndeshjen e parë të francezit në stol, që nga rikthimi. Në suksesin ndaj Seltës në “Bernabeu”, Zizuja bëri menjëherë katër ndryshime që, ndoshta edhe nuk priteshin. Në portë, Kejlor Navas (Kurtua, në stol), në krahun e majtë në mbrojtje ishte njohja e vjetër Marselo (Regilon rezervë), Isko Alarkon shpëtoi nga “internimi” i Solarit, dhe Garet Bejl mori një ftesë, kur priste të mos vlerësohej aq shumë.
Pikërisht Isko dhe Bejl shënuan golat ndaj ekipit nga Vigo, me Madridit që nuk e nisi mirë, e mbylli fort pjesën e parë dhe ishte shumë më lart pas pushimit. Ishte formacioni klasik i Zidanit, me të cilin fitoi 3 Champions, minus Ronaldon, pasi në fushë u ndodhën edhe Varan, Ramos, Kros, Modriç, Benzema apo edhe Asensio. Më i riu, Odriozola në krahun e djathtë të mbrojtjes.
Fitorja e Realit dhe humbja e Atletikos bënë që madrilenët të jenë tani vetëm 2 pikë prapa ekipit të Simeones (54 ndaj 56), që mbetet i tronditur nga eleminimi prej Juventusit në Champios. Reali ishte po ashtu i tronditur, por tashmë ka mbërritur “doktori” Zidan që shëron thuajse çdo “sëmundje”.
Sfidanti.al