Tifozët duan Hazarin, por Perez e do Zidanin për Mbapenë!

Mbi 50 për qind e tifozëve votuan për marrjen e Eden Hazarit në verë, si prioritet për Realin e Zidanit. Ishin gati 100 000 që morën pjesë në anketën e gazetës “Marka”, në të cilën për çudi nuk ishte përfshirë Kilian Mbape, por Kejn apo Nejmar. Gjithsesi, Florentino Perez shpreson që Zizuja të ndikojë për ardhjen e Mbapesë nga Paris SG, meqë të dy janë francezë. “Ai është francez, ai mund të bëjë diçka”, – ishin fjalët e presidentit.

Natyrisht, 72-vjeçari nuk hodhi poshtë mundësinë për Nejmarin, të paktën jo publikisht, duke thënë si me shaka se “i dua që të dy”. Dy yjet e PSG-së ishin një nga arsyet kryesore që Madridi nuk bëri blerje të mëdha verën e kaluar, me shpresë që këtë vit të merrte të paktën njërin prej tyre. Gjithsesi, tifozët kanë të drejtë, pasi me moshën e Modriçit dhe me ndryshimin e stilit të lojës, një kampion i madh si Hazari duket i domosdoshëm.

Tifozët ishin të ndarë mes nevojës për të bërë ndryshime drastike, dhe alternativës për të bërë pak blerje, por me emra të mëdhenj. Gjithsesi, ata ishin të bindur se vendimet për blerjet dhe largimet, si dhe çdo vendim sportiv, duhet ta marrë trajneri dhe stafi i tij, dhe jo presidenti.

Sfidanti.al