Mos shkoni të luani në Kinë pa mbushur 30 vjeç, do të pendoheni!

Një numër jo i vogël yjesh të mëdhenj futbolli ka shkuar pa u menduar shumë që të luajë në Kinë, me synimin e qartë që të fitojë atje lehtë para të mëdha, sepse në atë vend, si në asnjë vend tjetër, futbollistëve u jepen shuma marramendëse. Por, sidoqoftë, shumica e këtyre yjeve nuk ka lënë ndonjë gjurmë në futbollin e atjeshëm.
Në Kinë kanë shkuar të luajnë futbollistë të tillë të njohur si Karlos Tevez, Oskar, Hulk, Xhekson Martinez e shumë të tjerë, por, megjithatë, ata pothuajse të gjithë “kanë humbur” në atë vend, pavarësisht se llogaritë e tyre bankare janë bërë shumë më të mëdha. Duket qartë se cilësia e dobët e futbollit që luhet në Kinë, bën që yjet e mëdhenj të humbasin “pa nam e nishan”!
“Këshilla ime për të gjithë ata që duan të fluturojnë për në Kinë, është që të mendohen mirë para se të vendosin. Nëse doni që të shkoni në Kinë, mundohuni ta bëni këtë, pasi të mbushni 30 vjeç, sepse përndrsyhe do të pendoheni. Mos u tundoni nga paratë. Sidoqoftë, mbasi të mbushni 30 vjeç dhe e ndjeni veten në formë, atëherë, hajdeni të luani në Kinë”, thotë Xhon Obi Mikel, një nga futbollistët më të mirë që ka luajtur me Çelsin dhe në Kinë deri kohët e fundit.
Sfidanti.al