Do të luash me përfaqësuesen, “hidhe vallen” me 150 000 marka!

Një skandal i madh i kohës së Jugosllavisë së dikurshme ka plasur këto ditë lidhur me përfaqësuesen e atëhershme të saj. Në ekipin e saj, atëkohë, krahas emrave të mëdhenj, bënte pjesë edhe Dejan Petkoviç-Rambo që megjithatë nuk luajti më shumë se gjashtë ndeshje dhe nuk bëri më shumë se një gol me kombëtaren jugosllave, megjithëse tifozët donin ta shihnin atë më shumë në fushën e lojës me bluzën jugosllave. Sot, Petkoviçi, për habi të shumëkujet, zbulon se atij i ishte kërkuar që të paguante, nëse donte të luante!
Në një prononcim në median e Brazilit, ku ndodhet aktualisht Petkoviç-Rambo, ky i fundit vuri në dukje se “legjenda urbane”, sipas së cilës lojtarëve të caktuar u janë kërkuar që të paguajnë deri në 150 000 marka gjermane të asaj kohe që të luajnë me përfaqësuesen jugosllave, nuk është legjendë, por e vërtetë. Ai tha se atij i ishte kërkuar përmes një ndërmjetësi që të paguante 150 000 marka gjermane që ai të merrte pjesë në kampionatin botëror të vitit 1998 që u zhvillua në Francë.
“Mua më kanë thënë se pesë ose gjashtë lojtarë e kanë paguar këtë shumë parash. Mua ma thanë copë së, nëse paguan, do të shkosh në Botëror. Në fakt, këtë nuk ma tha asnjë nga përfaqësuesja, por një ndërmjetës. Atëkohë, unë ja thashë këtë gjë Pol Karnierit (president i klubit të atëhershëm Vitoria, me të cilin luante Petkoviçi) dhe ai më tha se vetë ai do të paguante edhe dy herë më shumë vetëm që të shkonte në Botëror. Megjithatë, unë e kundërshtova ofertën që më bën”, deklaroi Petkoviçi në emisionin “SportTV” të televizionit brazilian “GloboEsporte”.
Sa për kujtesë, atëkohë, president i federatës jugosllave të futbollit ishte Milian Milaniç, ndërsa trajner i përfaqësueses jugosllave ishte Sllobodan Santraç që tanimë nuk jeton më.
Sfidanti.al