Një këngë ruse, e grupit të vajzave “Liceistet”, thotë kështu: Jepju atij/nuk do të kesh asgjë në këmbim/fale atë/gabimi i radhës do të jetë tradhëtia! Këto vargje mund të këndohen në çdo gjuhë të botës, ndërsa vajzat ruse duhet t’ia thonë fort Melani da Kruzit, të fejuarës së futbollistit të Mançester Junajtidit, Antoni Marsial.
Kohët e fundit dolën lajme mbi shkeljen e besnikërisë nga sulmuesi, dhe siç duket provat ishin “sheshit”, aq sa Marsial u detyrua të kërkonte falje. Këtë e bëri me një postim në Instagram, ku shkruajti se “do të doja t’u kërkoja falje gjithë të afërmve të mi, familjes sime të mrekullueshme dhe veçanërisht të fejuarës sime për dëmin që i kam bërë muajt e fundit. Bëra gabime, por jam penduar dhe kjo nuk do të ndodhë më”.
Nuk dihet nëse Melania do ta falë Antonin, por nëse shikon se çfarë ka ndodhur me çifte të tjera, atëherë besohet se do ta bëjë (le të mos e paragjykojmë, gjithsesi). Kujtohen mirë rastet e tradhëtisë së Uejn Runit apo Rajan Gigsit, por gratë e tyre vazhduan të përdornin llogaritë milionëshe bankare të bashkëshortëve dhe të dilnin për krahu me ta, për t’u treguar në sytë e botë si gra me jetë të kompletuar (ndonëse bota normalisht ka qeshur me to). Një rast i veçantë është ai i ish-gruas së Bufonit, modeles çeke, Alena Seredova, e cila u nda nga ish-burri pasi mori vesh se “po i vinte brirë”.
Sfidanti.al