Nuk është e lehtë që të largohesh nga Bajerni, me të vënë një herë këmbë aty. Hames Rodrigez është i dyzuar për momentin, pasi nuk di se çfarë të bëjë, por janë dy personazhe tek bavarezët që duan të mos e lejojnë që të largohet. Ishte momenti kur Hamesi po fliste për kamerat pas ndeshjes në Liverpul, duke theksuar se çfarë klubi i madh ishte Reali, por papritur pas shpinës së tij u shfaq Frank Riberi, që thirri në spanjisht, “Hamesi, numri 1”.
Kolumbiani nuk e mbajti dot të qeshurën, por pastaj u bë prapë serioz dhe nisi të thoshte se “në Madrid kam gjithçka, kam shtëpinë, njerëzit që më duan, por le të shikojmë se çfarë do të ndodhë deri në fund të sezonit”. Njeriu tjetër që nuk dëshiron ikjen e Hamesit është trajneri Niko Kovaç, që e ka aktivizuar në 5 ndeshje radhazi. “Hamesi u kthye nga dëmtimi, dhe sapo të jetë në formën e duhur, do të tregojë se çfarë lojtari i madh që është, – ishin fjalët e kroatit, – gjithnjë kam thënë se ai është shumë i mirë”. Bajerni e ka në huazim Rodrigezin, por mund ta marrë për 42 milionë euro.
Sfidanti.al