Nuk ishte e thënë që Ledian Memushaj ta përfundonte si hero përballjen në “Olimpiko”. Mesfushori i kombëtares shqiptare nuk bëri asgjë keq, shënoi edhe gol, por Peskara u mposht në fushën e Romës. Seria A mbetet e mallkuar për futbollistët e trajnerit Odo, që shpesh herë luajnë mirë, por nuk arrijnë të marrin pikë. Më shumë sesa mbrëmja e Memushajt, ishte e Edin Xhekos. Boshnjaku shënoi 2 herë dhe tani ka 12 gola në 14 ndeshje për romanët, duke kërcënuar edhe rekordin e vjetshëm të Gonzalo Higuainit.
Ishte pikërisht Xheko që vendosi ndeshjen “në shina” për të besuarit e Spaletit, me avantazhin 2-0. Memushaj shënoi më pas, Peroti shkëputi edhe një herë Romën në +2 gola, por Kaprari hapi edhe një herë një nga ndeshjet më të bukura të sezonit. Humbja e gjashtë radhazi për Peskarën dhe Memushajn, që këtë herë nuk kishin Rei Manajn, të dënuar me përjashtim nga trajneri Odo për shkak të sjelljes. Roma mbërrin Milanin në kuotën e 29 pikëve në vendin e dytë, 4 pikë prapa Juventusit kryesues.