Çiklistët rrëzohen pranë finishit nga … pengesa në rrugë!

Pak besohet të ketë ndodhur në ndonjë garë tjetër, edhe pse gabime bëjnë të gjithë. Çiklistët që po marrin pjesë në Xhiron e Kolumbisë patën një të papritur të pakëndshme, ndërsa iu afruan finishit. Duke i dhënë biçikletave me shpejtësi të madhe, në fund të kronometrit ekipor, atyre nuk ua merrte mendja se në rrugë do të ndodhej një pengesë.

Disa prej çiklistëve u rrëzuan dhe u dëmtuan jo pak, ndërsa ata që ishin më pas, patën kohë të merrnin masat. Çfarë kishte ndodhur? Organizatorët, me një pakujdesi të habitshme, kishin vendosur kablla të ndryshëm në rrugë, pranë finishit, dhe i kishin mbuluar me një pengesë, si ato që përdoren për të detyruar shoferët të ulin shpejtësinë e makinave. Shpresohet që në etapat e ardhshme, organizatorët të tregohen më të kujdesshëm.

Sfidanti.al