Pirlo e Kapelo në krah të Marotës: Të lumtë, skuadra është e para!

Dy kampionë, njëri në fushë e tjetri (në fushë e) në stol nuk ngurruan t’i dilnin në krah drejtuesit të Interit, Bepe Marota, për rastin “Ikardi”. Andrea Pirlo dhe Fabio Kapelo e quajtën të drejtë vendimin e Marotës për t’i hequr Ikardit shiritin e kapitenit.

“Duhet të ketë ndodhur patjetër diçka në dhomën e zhveshjes, – u shpreh ish-juventini Pirlo, – Morata po bën një punë shumë të mirë tek Interi, pozicioni që mori ai është ai i duhuri, pasi po tregon se është klubi në radhë të parë, dhe lojtarët vijnë më pas”.

Kapelo, po ashtu, mendon se ka ndodhur diçka në brendësi të skuadrës, ndërsa i sugjeron Ikardit që t’i kërkojë falje shokëve, pasi ata do ta kuptojnë. Gjithsesi, ish-trajneri i Milanit dhe Juventusit, përdor edhe ironinë kur thotë se “Ikardi duhet t’i bëjë një dhuratë të vogël Uandës në shtëpi dhe t’i thotë “faleminderit””.  Kapelo gjykon se Ikardi (dhe Uanda) duhet të flasë më pak, dhe të mos diskutojë për skuadrën.

Gazetari i “La Gazeta delo Sportit”, Alberto Çerruti, sulmoi Ikardin duke thënë se ai nuk është një profesionist, dhe se gabimi u bë nga ish-trajneri Roberto Mançini, që i dha shiritin disa vjet më parë. Ai kritikoi vendimin e argjentinasit për të refuzuar grumbullimin me skuadrën.

Sfidanti.al