Nuk ndalen arbitrat shqiptarë edhe pse burgjet e tyre janë mbushur plot nga java në javë,edhe për një arsye të thjeshtë: ata sipër, komanduesit, kështu e duan garën mes një amalgame “gabime njerëzore” dhe “gabime të telekomanduara”. Me stemë apo pas stemë, të gjithë bilbilat po tregojnë se po luajnë kampionatin më të harbuar në këto vitet e fundit. Kur nisi sezoni, me shpresë se ishte vetëm një çmenduri e përkohshme, pyetej me humor se çfarë ilaçi u kanë dhënë arbitrave, që nuk përmbahen me gafa. Një gjë është e sigurtë, një vit më parë, media e shefave predikonte se ishin ndeshjet për kornizë, dhe po t’ua marrësh borxh gjuhën, ky kampionat është për kornizë për arbitrat. Çdo javë ka heroin e saj, që edhe pse nuk është në të mirë të lojës, vërteton genin e ndryshuar se nuk mund ta luajmë ndryshe këtë sport.
Një javë më parë gaboi Enea Jorgji në Durrës, në kurriz të Teutës, dhe në favor të Kukësit, dhe atë ditë nuk shkoi të bënte auto-maviolën si me Partizani-Skënderbeu. Dje, ishte radha e arbitrit Meta për të treguar pa frikë se futbollistët do të jenë skllevërit e tyre në këtë sezon, të paktën kështu dëshmohet deri tani. Ndërsa ekipet një herë qeshin dhe një herë qajnë, siç ndodhi me Kukësin, arbitrat janë më të qëndrueshëm, në një udhëtim të paharruar mëkatesh. Pritet që të dënohet Jorgji se e ka tepruar qyshkur është thënë se e do shefi i madh, nuk do të kursehet edhe Meta që futi dorën në xhepin e ndeshjes Kukësi-Tirana dhe në fushë do të shfaqen arbitra të panjohur, që etiketohen me të ardhme. Kur gabojnë pa frikë Meta e Jorgji, kuptohet fare qartë se çfarë do të thotë etiketimi “me të ardhme”.