Lebron Xhejmsi dhe Janis Adetokumbo, ashtu siç edhe pritej, ishin basketbollistët që morën më shumë vota nga tifozët, mediumet dhe basketbollistët e tjerë, kështu që ata të dy do të jenë në krye të dy ekipeve që do të ndeshen në finalen e madhe “të të gjithë yjeve” (All Stars) që do të zhvillohet më 15-17 shkurt në Sharlot.
Për Lebron Xhejmsin, kjo do të jetë pjesëmarrja e 15-të në konkurrimin e famshëm “Al Stars” si pjesëtar i pesëshes së parë, duke barazuar kështu Kobi Brajantin që ka qenë deri tani më i suksesshmi. Krahas Xhejmsit, në pesëshen e parë, mbi bazën e numrit të votave të fituara, në ekipin e Konferencës Perëndimore do të luajnë Stef Keri, Xhejms Harden, Kevin Durant dhe Pol Xhorxh.
Janis Adetokumbo do të luajë në pesëshen më të mirë të Konferencës Lindore së bashku me yjet Kajri Irving, Kemba Uoker, Kavai Lenard dhe Xhoel Embid.
Emrat e basketbollistëve të tjerë të të dy ekipeve do të shpallen mbas një jave.