Teori konspiracioni: TV do ta bëjë me zor Sitin kampion?

Tifozët e Liverpulit u nxehen shumë, kur panë kalendarin e ndeshjeve të Premier Ligës bashkë me orarët për muajin mars dhe, sikurse është tipike për tifozët anglezë, ata filluan diskutimet për konspiracionet e pretenduara kundër ekipit të tyre. Mbështetësit e “të kuqve”, kur konstatuan se, sipas kalendarit, gjatë të gjithë muajit mars Liverpuli do t’i zhvillojë ndeshjet e tij mbas Mançester Sitit, u alarmuan në maksimum.
Klubi “qytetar” në këtë mënyrë do të ketë epësi psikologjike, pasi çdo fitore eventuale e Sitit do t’u imponohet si një presion plus futbollistëve të Liverpulit që të mos bëjnë ndonjë hap të gabuar.
Pritet që gara për titull të bëhet e fortë dhe eksituese, ndërkohë që në mars do të zhvillohen disa ndeshje derbi, kështu Liverpulin e pret ndeshja me Totenhemin, ndërsa Sitin ndeshja me rivalin e qytetit, Junajtidin. Liverpuli, tani për tani, ndodhet katër pikë para, kështu që tifozët nuk mund ta pranojnë faktin se Sitit, për shkak të televizionit, t’i ofrohet ky kalendar ndeshjesh që e favorizon atë në garën për titull.
Në fakt, vështirë të besohet se këtu kemi të bëjmë me ndonjë konspiracion kundër Liverpulit, por, sidoqoftë, Siti do të ketë njëfarë epërsie psikologjike.
Sfidanti.al