Kupa Dejvis, Argjentina e fillon me humbje në sy të Maradonës

Pak rëndësi ka sporti, në sy ka vetëm fanelën. Diego Armando Maradona nuk ngurron të ndjekë sot Argjentinën, ashtu siç luante në vitet 80-të kundër Anglisë për t’u hakmarrë për luftën e ishujve Malvine (anglezët dëshirojnë t’i quajnë Folklend). Legjenda e madhe e futbollit “e tradhëtoi” për një moment sportin e tij të zemrës, duke ndjekur pas ekipin kombëtar të tenisit në finalen e Kupës Dejvis.
Diego udhëtoi bashkë me të dashurën, Rosio Oliva, dhe pas ndalesës në Mynih, shkuan në Zagreb, ku Argjentina u ndesh me Kroacinë vendase. Çifti u vendos në vendin e prenotuar në zonën VIP të Arenës së Zagrebit, ku nuk mund të mungonte flamuri argjentinas, ndërsa interesimi i mediave ishte i madh. Gjithsesi, fillimi nuk ishte shumë i mirë për patriotin Diego. Marin Çiliç kaloi në avantazh Kroacinë në ndeshjen e parë duke fituar ndaj argjentinasit Frederiko Delbonis, me rezultatin 3-2 (6-3, 7-5, 3-6, 1-6, 6-2).