Në futboll, ashtu si edhe në politikë, nuk bëhet gjithnjë lojë e thjeshtë, por edhe e dyfishtë. Kjo, sidomos kur janë në lojë interesa të tilla si përfitimet financiare të agjentëve e klubeve, apo rrogë më e lartë për lojtarët, dhe duket se De Jongu me agjentin e tij bënë pikërisht këtë. “Radio Katalunja” njofton se mesfushori holandez do të jetë i Barcelonës, duke nisur nga vera e ardhshme. Gazeta “De Telegraf” e Amsterdamit shtoi se vlera e operacionit shkon në 90 milionë euro.
Pak ditë më parë, mediat njoftuan se Ajaksi kishte arritur marrëveshje me Paris SG për De Jongun, mbi bazën e 75 milionë eurove. Juventusi dhe Mançester Siti ishin, po ashtu të interesuar. Vetë De Jongu dëshirën e kishte për të luajtur në “Kamp Nou”, por gjithsesi, kjo nuk mund të ndodhte nëse nuk plotësoheshin kushtet e duhura. Nga 75 milionë, çmimi i kartonit të tij arriti 90 milionë, duke kënaqur Ajaksin dhe agjentin. Po ashtu, besohet se vetë De Jongu do të ketë mbetur i kënaqur nga rroga, dhe po ashtu duhet të jetë i lumtur që, sezonin e ardhshëm, do të luftojë për Championsin dhe La Ligën.
Sfidanti.al