Dy fitore “mysafirësh” u arritën sot në Kupën e Shqipërisë. Partizani e Skënderbeu bënë provën “gjenerale” në prag të duelit mes tyre në Superligë, që do ta luajnë të premten në Korçë. Kryeqytetasit triumfuan 4-2 në fushën e Kastriotit, saktësisht në stadiumin “Redi Maloku” të Fushë Krujës, ndërsa Skënderbeu 2-1 në fushën e Besëlidhjes.
Për të kuqtë, trajneri Gega bëri disa ndryshime në formacion, për t’i dhënë mundësi lojtarëve si Rexhepi, Kote, Çinari apo Hebaj që të luanin më shumë minuta se deri tani, dhe për të ruajtur disa të tjerë për Skënderbeun. Hebaj shënoi dy gola, ndërsa Mensah e Trashi realizuan nga një herë. Krutanët kaluan të parët në avantazh me Vatnikajn, dhe shkurtuan diferencën me Shehin.
Skënderbeu pati nevojë për më pak gola në Lezhë, duke triumfuar 2-1. Oto Xhon shënoi i pari për miqtë, Kamara barazoi po në pjesën e parë, ndërsa Gripshi fiksoi shifrat në 51’. Edhe trajneri Orges Shehi kishte bërë ndryshime në formacion. Nesër do të luhen dy ndeshjet e tjera të turit të dytë të Kupës, ku kryesorja është Tirana-Flamurtari.
Sfidanti.al