Bajerni po trazon gjithë kartat që ta ketë Hadsonin në Mynih

Duket se Bajerni i Mynihut është shumë serioz në përpjekjet e tij që të sjellë në “Alianc Arena” futbollistin e ri të Çelsit, Hadson Odon. Në fakt, ky mesfushor 18-vjeçar ka kërkuar që të largohet nga “Stemford Brixhi”, duke qenë se është i pakënaqur me minutazhin e lojës që atij i ofrohet te “blutë” e Londrës dhe ai do që me çdo kusht që të shkojë te Bajerni, pasi atje i kanë premtuar një minutazh shumë më të madh loje.
Në këto kushte, ky futbollist tinejxher, sikurse pretendon media angleze, ka refuzuar që të nënshkruajë kontratë të re me Çelsin.
Tani në media kanë dalë disa të dhëna që e bëjnë edhe më të mundur transferimin e tij nga Londra për në Mynih.
Media shkruan se, nëse Hadson Odoni do të arrijë që të transferohet te Bajerni, ai do të paguhet 85 000 sterlina në javë që është tepër shumë për një futbollist që është vetëm 18 vjeç, ndërkohë që ai nuk ka shumë përvojë me ekipe të rriturish. Bajerni, sikurse thuhet, është gati t’i japë për këtë djalosh Çelsit 40 milionë euro. Ndërkohë, në kontratën e re Çelsi nuk i ofron Odonit më shumë se 70 000 sterlina në javë. Sidoqoftë, duket se transferimi i tij është pranë dhe vetëm se duhet të pritet se kur do të realizohet ai, këtë janar apo verën e ardhshme.
Sfidanti.al