Harden kalon edhe Elgin Bejlërin, por Çembërleni duket larg!

Ka 19 ndeshje radhazi që shënon të paktën 30 pikë, në një nga seritë më të gjata në historinë e NBA-së. Xhejms Hardenit i duhet vërtet një titull për t’u “çimentuar” si një nga legjendat e basketbollit amerikan, por edhe kjo që po bën, nuk është pak. Kapiteni i Hjustonit realizoi 48 pikë në fitoren e zorshme ndaj Lejkërsave, 138-134, duke lënë prapa një tjetër legjendë të NBA-së, Elgin Bejlërin që kishte 18 ndeshje me 30 pikë e më shumë. Më herët, ai kaloi edhe Kobi Brajantin.

Gjithsesi, do të jetë shumë e vështirë, në mos e pamundur, për të mbërritur Uilt Çembërlenin. Për momentin, ai mund të kalojë një seri të Çembërlenit, atë me 20 ndeshje radhazi me 30 pikë e më shumë, veçse ish-ylli i viteve 60-të, ka edhe seri të tjera, si 25 dhe me 31, për të mos llogaritur rekordin e madh të NBA-së, prej 65 ndeshjeve radhazi me 30 pikë apo më shumë. Nëse Hardeni do t’ia dilte, do të ishte edhe ai një “mbinjeri”.

Ndaj Lejkërsave, “Mjekra”, përveç 48 pikëve, pati edhe 8 topa në tabela, 6 asistë, 4 vjedhje topi dhe një bllokim gjuajtjeje. Hjustoni është në vendin e pestë në Konferencën Perëndimore, me 26 fitore e 19 humbje, ndërsa Xhejms kryeson renditjen e shënuesve më të mirë të kampionatit me 35.7 pikë për ndeshje dhe me 1450 pikë gjithsej.

Sfidanti.al