Dhjetë mijë fëmijë dhe asnjë gol, Interi s’di të kënaqë

Atmosfera në “San Siro” ishte tepër e veçantë, por frika e zakonshme për të mos humbur, doli më shumë e rëndësishme. Një Inter “fantazmë” nuk mundi t’i jepte asnjë kënaqësi 10 000 fëmijëve që ishin në tribuna për të ndjekur ndeshjen e Serisë A ndaj Sasuolos, që përfundoi 0-0. Gazetat italiane komentojnë me keqardhje që “nuk mundëm të mësonim sesi do të ishte britma e golit nga 10 000 fëmijë”.

Çfarë ndodh me një skuadër të ndërtuar për të fituar titullin, dhe që zhgënjen në fushën e saj? Trajneri Luçiano Spaleti, në sezonin e tij të dytë zikaltër, nuk i fryn shumë “zjarrit”, por nuk harron të theksojë se “në nivel individual duhej të bënim më mirë”, apo “ishim lart në mbrojtje, por keq në sulm”.

Mos janë këto sinjale edhe për Mauro Ikardi, i kritikuar me “elegancë” edhe më parë? Tifozët interistë, padyshim, duhet të jenë të acaruar me kapitenin, që duket se më shumë po shqetësohet për kontratën e re sesa për të udhëhequr ekipin tek fitorja. Po ashtu, tifozët duhet të jenë të zemëruar me gruan dhe agjenten e tij, Uanda Narën, që duket se po shkakton konfuzion me deklaratat e saj, herë duke thënë se “jemi larg me rinovimin”, herë “rinovimi do të bëhet”.

Komentin më pikant për ndeshjen e Interit e bëri një ish-lojtar zikaltër, holandezi Van der Mejde. Në rrjetet sociale, ai shkroi fare pak fjalë: “Një ndeshje m…”!

Sfidanti.al