Stavri Nica paska shkuar poshtë në stolin e Devollit në grupin B të Kategorisë së Dytë, por ato që tha ditën e largimit nga Superliga janë ngjitur shumë lart. Edhe pse Superliga nuk ka një altar nderi për frazat më revolucionare të trajnerëve, deklarata e Nicës do të mbetet si një gurë i çmuar. Cilët ishin fjalët e tij, historike për nga rebelimi, kur iku nga ekipi i Kastriotit? “ Futbollistët luanin për të më larguar nga ekipi. Më mirë të shkojë në fukarrallëkun tim, se sa të merrem me gjoja sportistë që arrijnë të bëjnë puç kundër njeriut që kërkon t’i mësojë..”. Sikur Superliga të ishte e ndjeshme, të mos e kishte lëkurën shollë, pas këtyre fjalëve do të ndalte topin. Të paktën njëherë të vetme, për të kuptuar se ajo që po ndodh në fushë, më troç akoma, ajo që po trondit psikikën e futbollistit tonë, është tragjike. Në cilin vend të botës ndodh më shpesh që futbollisti “lufton me shpirt” edhe kundër trajnerit të vet . Kjo patologji është krejt shqiptare dhe tregon vdekjen morale të një gare, e cila rropatet më kot për të gjetur fituesin sepse të gjithë janë me meritë të humbur..
Nica ka shkuar poshtë, në një kategori inferiore, duke shpresuar se në fukarrallëkun e ligave që mezi mbijetojnë nga hallet , ka më shumë nder loje sesa në futbollin e madh. Madje duke vërtetuar të kundërtën..se uji nuk del i pastër nga burimi i futbollit , por zbret poshtë, me shpresë që të filtrohet dhe të mos ..helmojë! Interesant është fakti se kur Stavri Nica i ra kamabanës më fort se çdo trajner tjetër që kemi patur, duke treguar publikisht krizën morale të një brezi futbollistësh, të cilët as nuk skuqen as nuk nxihen edhe kundër mësuesit të tyre , Superliga bwri ritualin më shpërfillës… i vuri tapa veshwve! Madje në zyrat e komandimit u hodhën edhe zarat e fatit për trajnerin që ska talentin e duhur për të qepur gojën. Aq sa dhe “Kasandrat” e kishin parashikuar se trajneri që kishte guxuar të kalonte orbitën e lejuar.. do të sikterosej këtë here. Një ndëshkim siç e meriton vetëm kur dëgjohet qartë e vërteta e madhe. Dhe Nica është “dënuar” të mos shkelë në Superligë, sepse në tërë këto vite nuk mësua dot që ta hidhte vallen sipas (anti)rregullit të vjetër..hesht dhe bëj sikur luaj !
Sfidanti.al