Higuain “prenoton” Totenhemin, Milani vë bast tek Pionteku!

Nuk është keq kur një ish-Këpucë të Artë të Serisë A e zëvendëson me një pretendent për Këpucën e Artë këtë vit, po në Itali. Milani i ka dhënë “duart” Gonzalo Higuainit, që tashmë është në Londër, dhe ka vendosur gjithë “paratë që ka”, si një bast tek polaku Kristof (Kshishtof) Piantek.

Mediat italiane njoftojnë se drejtuesit e Milanit, Leonardo e Maldini, e quajnë të përfunduar transferimin e Piontekut, ndërsa Xhenoas pritet t’i jepen 45 milionë euro. Pionteku, 23-vjeçar është golshënuesi i dytë më i mirë i Serisë A këtë sezon, me 13 gola në 19 ndeshje, i lënë pas vetëm nga Kristiano Ronaldo, ndërsa ka realizuar 19 gola në 21 ndeshje gjithsej.

Nuk është e sigurt nëse sulmuesi i kombëtares së Polonisë (dy ndeshje, 1 gol), do të mund të jetë një sukses në “San Siro”, pra nëse do t’i ngjajë paraardhësit të tij të madh, Bonjek, që shkëlqeu me Juventusin, apo Levandovskit të Dortmundit e Bajernit. Milani, gjithsesi, ka besim.

Higuain, ndërkaq, nuk mundi të regjistrohej në kohë për Çelsin, për të luajtur derbin ndaj Arsenalit në kampionat, por do të jetë të martën në gjysmëfinalen e dytë të Kupës së Ligës ndaj Totenhemit në “Stemford Brixh”. Çelsi ra dakord me Juventusin për ta huazuar sulmuesin.

Sfidanti.al