Barcelona vijon në Kupën e Mbretit; Levante humbet betejën në RFEF

Barcelona u kualifikua në cerekfinale të Kupës së Mbretit pasi fitoi ndeshjen e kthimit me Levanten 3-0, ndërkohë që sfidën e parë e kishte humbur 2-1. Por kjo përballje pati polemika që u zgjidh në Federatën Spanjolle të Futbollit nga gjykatësja Karmen Perez.

Skuadra valenciane denoncoi ditën e premte Barcelonën pasi aktivizoi në ndeshjen e parë futbollistin nga skuadra rezervë, Huan Brandariz Movija ‘Çumi’ i cili ishte i ndëshkuar me karton në kampionatin e Ligës së dytë spanjolle. Por Karmen Perez e refuzoi këtë denoncim pasi Levante e kishte bërë disa ditë pasi ishte mbyllur afati prej 48 orësh, sic theksohet në rregullore.

Nga ana e saj edhe Barcelona dha argumentat e saj në këtë proces dhe pasi Perez studioi denoncimin dhe versionin e fakteve të klubit katalanas vendosi të lërë në fuqi rezultatin e kësaj faze eliminatore të Kupës së Mbretit që do të thotë kualifikim i Barcelonës. Ndërkaq, vetëm pak caste pas daljes së vendimit, në RFEF u hodh edhe shorti i cerekfinaleve të Kupës së Mbretit dhe Barcelona do të luajë me Sevijën që është një përsëritje e një finales së vitit të kaluar. Reali i Madridit do të luajë me Gironën, ndërsa ciftet e tjera cerekfinaliste janë Espanjol-Betis dhe Getafe-Valencia.

Ndërkaq. Levante nëpërmjet një komunikate për shtyp bëri të ditur se do të apelojë kundër vendimit të Gjykatëses në Federatën Spanjolle në Komisionin e Apelit e më pas edhe në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv.

sfidanti.al