Tuhelin nuk e zë gjumi, edhe pse i “arratisur” me 13 pikë diferencë

Eleminimi befasues i PSZH-së nga Guingampi (1-2) në Kupën e Ligës së Francës ka ndezur alarmin në “Parkun e Princave” në Paris. Në fakt, ekipi i Tomas Tuhelit ka 13 pikë epërsi dhe dy ndeshje më pak të Ligën e 1-rë franceze para Lilit të vendit të dytë, por, sidoqoftë, krerët e klubit janë të preokupuar, sepse PSZH-ja do të ketë përballë në 1/8-tën e finaleve të Lidhjes së Kampioneve një Mançester Junajtid krejtësisht të ripërtërirë dhe të rrezikshëm. Në këto kushte, ky klub i madh francez synon që të blejë lojtarë të rinjë megjithëse ka plot yje.
“Nuk më zë gjumi pa ardhur përforcimet e duhura. Në klub i dinë dëshirat e mia dhe më kanë premtuar se do të sjellin përforcime të reja. Por, pa ardhur ato, unë nuk do mund të bëj gjumin të qetë”, thotë trajneri gjerman i PSZH-së që vlerësohet se kushton mbi 900 milionë euro.
Strategut gjerman i mungon në ekip një mesfushor i mirë, kështu që në shpesh raste Markinjos luan si mesfushor i fundit.
Sfidanti.al