Flamurtari kërkon që t’i kthehen 6 pikët e hequra në renditje pas arritjes së marrëveshjes me Federatën Shqiptare të Futbollit, për shlyerjen e borxheve ndaj 4 futbollistëve. Ishte trajneri Gentian Mezani që e shprehu një kërkesë të tillë, ndërsa foli për mediat përpara ndeshjes ndaj Vllaznisë. “Lajmi për akordin është shumë i mirë, – tha Mezani për shtypin e shkruar, – kemi shpresë të madhe se do ta kthejnë pikët, dhe mendoj se do të jetë e drejtë pasi janë djersa e futbollistëve”. FSHF dhe klubi vlonjat u morën vesh për shlyerjen e prapambetjeve financiare ndaj Veliut, Sakajt, Abrit dhe Vucajt, dy të tretat e të cilave do t’i japë Federata, ndërsa pjesën tjetër Flamurtari deri në fund të janarit. Nuk dihet nëse komisionet në FSHF apo Komiteti Ekzekutiv do të marrin ndonjë vendim për kthim pikësh, por nëse kjo ndodh, atëherë vlonjatët do të ngjiteshin në vendin e pestë në renditjen e Superligës, menjëherë pas Tiranës.