FIFA po diskuton zgjerimin e finaleve të kampionateve botërore, veçse presidenti i saj, Xhani Infantino, ka një shqetësim jo të vogël. Zvicerani sqaroi se ideja e tij ishte fillimisht për një Botëror me 40 skuadra, me 10 grupe nga 4 ekipe, ose me 8 grupe me nga 5. “Kjo ide po diskutohet, – tha bosi i FIFA-s për “L’Ekipin” francez, – por, kemi një problem nga ana sportive, pasi aktiviteti nuk do të ishte shumë linear. Kemi shembullin e Shqipërisë në Europian, që u desh të priste një javë para se të merrte vesh nëse do të kualifikohej për më tej apo jo”. Për të shmangur këtë pritje, Infantino sqaroi se u hodh ideja e Botërorit me 48 ekipe, dhe me një plej of përpara sesa të fillonte faza në grupe. Këto variante do të diskutohen dhe për to, do të vendoset vitin e ardhshëm, ndërsa sido që të jetë, Shqipëria do të ketë më shumë shanse se në të kaluarën për të shkuar në fazën finale, pasi numri i ekipeve finaliste do të rritej, gjithsesi.