Ylli brazilian i futbollit, Ronaldinjo, prej më shumë se një viti nuk ka skaudër, ndërkohë që në disa raste, ai ka aluduar se do të dalë në “pension”, por informacionet më të fundit thonë se ai do ta vazhdojë karrierën si futbollist, në kampionatin amerikan, MLS. Pas një aventure tremujore me bluzën e Fluminensës në Brazil, Ronaldinjo vendosi që të bëjë një pushim që zgjati më shumë sesa pritej. Madje, edhe vetë futbollisti kishte paralajmëruar se do të tërhiqej nga futbolli i luajtur deri në fund të sezonit, por duket se tani ka ndërruar mendje.
Në fakt, ky futbollist, ndër më të mirët në historinë e futbollit, kohët e fundit, refuzoi një ofertë të Sao Paulos, me synimin që karrierën e tij ta vazhdonte në SHBA. Këtë lajm e konfirmoi edhe agjenti i tij, por sidoqoftë, emri i klubit, tani për tani po mbahet sekret. Megjithatë, disa tabloide në SHBA kanë publikuar ditët e fundit, se Ronaldinjo, aktualisht ndodhet në Los Anxhelos, ku po diskuton për kushtet me ekipin LA Galaksi, skuadra që në fund të këtij muaji ka mbetur pa shërbimet e yjeve kryesorë të tij, Stiven Xherard dhe Robi Kin.