Lajmi më i fundit në Angli për Totenhemin është se trajneri Poçetino po bëhet gati të transferojë disa lojtarë për të mbushur buxhetin. Një klub që ka shpenzuar mbi 800 milionë euro për stadiumin, dhe që nuk ka bazën e tifozëve apo traditën e Mançester Junajtidit e Liverpulit, duhet të bëjë mirë llogaritë me shitblerjet.
Musa Dembele, Viktor Uanajama, Xhorxh-Kevin Nkudu, por ndoshta edhe Vinsen Jansen, Fernando Jorente dhe Mishel Vorm, mund të largohen, kundrejt një shifre që mund të arrijë mbi 100 milionë paundë stërlina. Synimi i Poçetinos është të sjellë në skuadër një sulmues “për të qenë”, për ta pasur si krah të Harri Kejnit.
Mediat, ndërkaq, nuk po lënë lavdërim pa bërë për një trajner që po udhëheq një ekip drejt titujve të mëdhenj, me një buxhet shumë më të vogël sesa rivalët. Krahasimi bëhet me Borusian e Dortmundit dhe Atletikon e Madridit, sidomos me trajnerin tjetër argjentinas, Diego Pablo Simeone.
“Jo, – kundërshton Poçetino, – Dortmundi ka qenë prej vitesh sfidant i Bajernit në Gjermani, ndërsa ne nuk kemi mundur të jemi. Sa për Simeonen, ai është trajneri më i paguar në Spanjë, ndërsa Atletiko ka buxhet më të madh se çdo klub i Premier Ligës, ndoshta 5 herë më të madh sesa ne. Pra, nuk ka krahasim”.
Sfidanti.al