Nuk mund të kishte shkuar më mirë se aq, ndeshja e parë në stol për Ole Gunar Solskjerin. Pasi u prit në mënyrë madhështore nga tifozët që kishin udhëtuar deri në Uells, pasardhësi i Zhoze Murinjos udhëhoqi Mançester Junajtidin në fitoren 5-1 në fushën e Kardifit. Ishte kontrasti më i madh i mundshëm me epokën e turbulluar të portugezit.
Kjo ishte hera e parë që Junajtid shënoi 5 gola që nga viti 2013, sezon kur në stol ishte ende Sër Aleks Fergusoni. Me Dejvid Mojesin, Luis Van Galin dhe Murinjon, nuk ia kishte dalë asnjëherë.
Në përfundim të ndeshjes së Premier Ligës, Solskjer u shpreh se “futbolli është një sport i lehtë, kur ke futbollistë të mirë në ekip” dhe mediat e interpretuan si një “kritikë të fshehtë” për Murinjon, pasi edhe portugezi i pati këta lojtarë, por ishte në krizë.
Solskjer tregoi se merita për fitoren i takon edhe Uejn Runit, i cili i dha disa këshilla përpara ndeshjes. “Runi më dërgoi mesazhe dhe më dha disa këshilla, pra ai ka meritë gjithashtu, – u shpreh norvegjezi, – ai më tha që unë thjesht t’i jepja mundësi lojtarëve të luanin futboll, të kënaqeshin dhe që të ishim Mançester Junajtidi”.
Sfidanti.al