Barça thotë “Gëzuar Krishtlindjet” me Mesin dhe Dembelenë

Reali mund të jetë në majë të botës, por Barcelona është në majë të Spanjës. La Liga duket “toka e premtuar” për katalanasit që po shkojnë drejt titullit të 8-të në 11 sezonet e fundit. Vetëm Reali i ka ndalur dy herë në më shumë se një dekadë, dhe Atletiko një herë.

Selta në “Kamp Nou” u mposht nga golat e Usman Dembelesë dhe Lionel Mesit, me argjentinasin që pritet që të fitojë titullin e 10-të kampion në karrierë. Mesi dhe Zhordi Alba kombinuan për golin e parë, ndërsa Dembele shërbeu pasimin për golin e dytë të Mesit.

Kjo fitore ishte kartolina e Vitit të Ri nga katalanasit, apo përshëndetja “Gëzuar Krishtlindjet”. Një përshëndetje sidomos nga Dembele, i cili nuk shënonte në “Kamp Nou” që nga 2 shtatori.

Mesi, ndërkaq, është tani vetëm dy gola larg shifrës magjike të 400 rrjetave në kampionat, diçka që askush nuk e ka bërë dhe nuk dihet se kur do të arrijë ta bëjë dikush tjetër. Po ashtu, ai vazhdon të “vrapojë” drejt kuotës së 600 golave për klubet (me një të vetëm, Barcelonën), duke qenë tani në 573.

Sfidanti.al