Duel i madh në Los Anxhelos, Lebroni përballë Dejvisit

Fitoi i pari, pasi realizoi një tripëll dabëll, dhe sepse skuadra e tij ia doli. Lebron Xhejms doli triumfues në ndeshjen Los Anxhelos Lejkërs-Nju Orlins Pelikans, me kalifornianët që arritën shifrat 112-104, ndërsa një duel i madh u zhvillua në “Stejpëlls Sentër”.

Xhejms shënoi 22 pikë, kapi 12 topa në tabela dhe shërbeu 14 asistë, duke qenë ky tripëll dabëlli i tretë me Lejkërsat këtë sezon, dhe i 76-ti në karrierë. Përballë tij ishte lideri i Nju Orlinsit, Antonio Dejvis, që shënoi 30 pikë, duke qenë më i miri i ndeshjes, dhe kapi 20 topa në tabela, e shërbeu 5 asistë. Vështirë të thuash se kush e fitoi duelin personal.

Nju Orlinsi nuk u dorëzua dhe ishte vetëm 5 pikë prapa vendasve kur duheshin më pak se 3 minuta lojë, por nuk pati forcë për të përmbysur rezultatin. Kjo ishte humbja e tretë radhazi për të, ndërsa Lejkërsat janë në vendin e katërt në Perëndim, me 19 fitore e 13 humbje.

Sfidanti.al