Teutë e fortë apo “teatër” i Kastriotit, gjithçka mund të ndodhë në Superligë!

Kastrioti është kthyer në një tabelë qitjeje në Superligën shqiptare, me 8 gola të pësuar në dy ndeshjet e fundit. Pas Tiranës, katër herë i shënoi edhe Teuta, madje në atë që quhet fusha e krutanëve, stadiumi “Redi Maloku” i Fushë Krujës.

Nuk pati asnjë çudi për rezultatin 4-0, pasi epërsia e durrsakëve ishte e plotë, madje ata mund t’i kishin shënuar golat më herët, veçse habi ishte shthurja e Kastriotit në minutat e shtesës, kur pësoi dy herë.

I dalluari Sherif Kallaku ishte autor i golit të parë, ndërsa pas pushimit shënuan Progni, Latif dhe Vecaj. Gjithçka e merituar për Teutën, që e vazhdoi aty ku e la ndaj Partizanit, me ndeshjen e mirë që u luajt në Durrës dhe që përfundoi në barazim.

Edhe pse ka ndodhur që është ndihmuar nga arbitri, siç ndodhi me Tiranën, sërish skuadra e trajnerit Bledi Shkëmbi është një nga më të mirat e këtij sezoni të Superligës, madje ajo që ka shënuar më shumë se të gjithë, plot 23 gola.

Gjithsesi, ndryshimi i madh në vetëm pak muaj, në krahasim me sezonin e kaluar, tregon sesa pak cilësi ka kampionati shqiptar, ku mjafton një projekt me fare pak kohë, për të pretenduar Europën, madje edhe titullin. Teuta ka 32 pikë pas 17 javësh, vetëm 4 pikë larg Partizanit kryesues, pra për të, çdo objektiv është i mundshëm.

Sfidanti.al