Në fakt, po të shohësh statistikat, të krijohet përshtypja se një pyetje e tillë nuk ka shumë kuptim. Partizani në kampionat ka pësuar vetëm tre gola dhe më mirë se kaq nuk mund të shkonte për skuadrën e Starovës. Por, në ndeshjet e fundit është pikërisht reparti difensiv që e ka lënë në baltë trajnerin, pikërisht atë, që për skeptikët vazhdon të jetë i dashuruar me “katenaçion”. Dhe gabimet kanë lënë pasoja të rënda. Partizani nuk ka mundur të fitojë në kampionat dhe është larguar me tri pikë nga kryesuesit e Kukësit dhe Skënderbeut, por pikërisht gjatë kësaj periudhe paqartësie është eleminuar edhe nga Kupa e Shqipërisë.
Goli i pësuar nga të kuqtë në ndeshjen me Luftëtarin dhe që mban për autor Bregun, veç afësive të mesfushorit të skuadrës gjirokastrite, nuk kishte se si të mos klasifikohet edhe si gafë e mbrotjes kryeqytetase. Përveç këtij episodi, ky repart, atë mesditë ka vuajtur vërtetë shumë. Goli i sulmuesit afrikan të Besëlidhjes, që i kushtoi largimin nga kupa, erdhi si pasojë e një gabimi kolektiv. Fillimisht Atanda kthen topin, pa e vënë re kundërshtarin dhe më pas Kalari nuk mundi ta rikuperojë. Në fund, goli i pësuar në “Loro Boriçi”, kur ekipi u hap me aq lehtësi në qendër. Pra në një kohë që po interesohen për të sjellë Sukajn, me qëllimin për ta bërë skuadrën të shënojë më lehtësisht, Starovës i duhet të riaktivizojë prapavijën, gjë që e ka më të thjeshtë ta bëjë… pasi e ka specialitet.